Në shek. XV emërtimi Arbëri (Albanum, Albania) ishte shtrirë në një hapësirë gjeografike më të gjerë se ajo që pati arritur gjatë “Mbretërisë Anzhuine”. Nga ana veriore më 1429 Tivari në bregdet, më 1430 Lushtica pranë Kotorrit, më 1442 Podgorica, quhen qytete të Arbërisë, de Albania

 

kristo-frasheriKristo Frashëri

Mund të thuhet se në shek. XV me alba- në dhe epirotë nënkuptoheshin banorët e hapësirës gjuhësore shqipe; se përmbajtja e tyre gjuhësore-fetare e kishte humbur fuqinë e saj; se për vetë shqiptarët ato ishin veshur me të njëjtin kup- tim etnik; se në shumicën e rasteve shqiptarët njiheshin edhe jashtë Shqipërisë me një emër të vetëm etnik, pavarësisht se ekzistonin ende qarqe të huaja, të cilat e ruanin ende konceptin gjuhësor- fetar mbi kombësinë, emërtimi albanitë po fitonte vazhdimisht terren.

Në shek. XV emërtimi Arbëri (Albanum, Albania) ishte shtrirë në një hapësirë gjeografike më të gjerë se ajo që pati arritur gjatë “Mbretërisë Anzhuine”. Nga ana veriore më 1429 Tivari në bregdet, më 1430 Lushtica pranë Kotorrit, më 1442 Podgorica, quhen qytete të Ar- bërisë, de Albania. Nga ana jugore Vlora cilësohet si dhe në kohën anzhuine qytet në Arbëri (Valona in Albania). Nga juglindja, sipas një akti raguzan të vitit 1390, Kosturi quhej pjesë e Arbërisë, Castoria de partibus Albaniae.

Shtrirja e emërtimit Albanum, Albania në këtë hapësirë gjeografike mund të shpjegohet me po ata faktorë që për- caktuan shtrirjen e dikurshme të këtij emërtimi nga kufijtë e ngushtë të mesit të shek. XI në kufijtë e gjerë të fillimit të shek. XIV. Konkretisht, mund të shpjegohet me shtetin e Balshave që u formua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV. Në fillim, brenda kufijve të këtij shteti u përfshinë territore shqiptare e sllave. Pra, Balshat mbështetjen kryesore politike e gjetën te popullsia shqiptare. Më 1369, me kalimin e tyre në anën e Kishës Perëndimore, lidhjet me sllavët ortodoksë u dobësuan edhe më tepër, kurse komuniteti politik e fetar me shqiptarët katolikë u forcua edhe më tej.

Si rrjedhim i këtyre lidhjeve, në vitet ’70 Balshat filluan të shtriheshin në jug, drejt krahinave shqiptare, duke arritur më 1372 në vijën Vlorë–Berat–Kostur. Në veri humbën krahinat sllave, duke u tërhequr afërsisht në vijën Tivar–Podgoricë–Prizren. Në këtë mënyrë ky komunitet politik fetar mori dalëngadalë karakterin e një komuniteti shqiptar e katolik.

Rrjedhimisht, edhe titulli i sundimtarëve Balsha u ndryshua nga sovranë të Zetës (Dei Gratia dominus Zetae), në sovranë të Arbërisë – Gjergj II Balsha “Zot i Arbërisë” (Arbanaskim Gospodinum), “Princ i Arbërisë” (Princeps Albaniae). Pra, Albanum, Albania u shtri në veri vetëm në viset shqiptare dhe katolike që hynë në shtetin e tyre.

Si përfundim, emërtimi Albanum, Al- bania, duke filluar nga shek. XI u zgje- rua vazhdimisht duke shtyrë më në jug emrat Epir dhe Romania dhe më në veri emrat Dioklea dhe Sklavonia dhe arriti në shek. XV atje ku e çoi përçuesi i vet historik – faktori politik shtetëror shqip- tar dhe jo ekspansioni i supozuar i shqiptarëve, siç mendojnë pa të drejtë disa historianë, ndër të cilët J. G. von Hahni dhe G.Stadtmülleri.

Në lidhje me territoret që shtriheshin në jug, pika më delikate qëndron te çështja nëse emërtimi Epir kishte ose jo një përmbajtje etniko-gjeografike. Sipas mendimit tonë, çështja zgjidhet sapo të sqarohet përkatësia etnike e epirotit dhe në vështrim më të gjerë karakteri etnik i Epirit të Vjetër. Me epirot mund të nënkuptohej, të paktën në shek. XV, shqiptari që banonte në Epir.

Për të sqaruar përkatësinë etnike të banorit të Epirit të Vjetër, mund t’u referohemi drejtpërdrejt shkrimtarëve dhe kronistëve greko-bizantinë që nuk e përdorin fare termin epirot. J. Kan- takuzeni gjatë përshkrimit të ngjarjeve që ndodhën në territorin e Epirit gjatë gjysmës së parë të shek.

XIV quan albanë banorët që jetonin në afërsitë e Beratit e të Kaninës, në krahi- nat e Devollit e të Kolonave, në rrethet e Pogonianit e të Libisdës, në afërsi të Ohrit dhe gjetkë, të cilët dihet se prak- tikonin ritin bizantin. Nga “Kronika e Janinës” mësojmë se banorët e trevës së Përmetit ishin mazarakët; të Dropullit e të Delvinës: zenevistët; në rrethin e Jani- nës: malakasët, të cilët sipas mendimit të përgjithshëm të historianëve, qenë shqiptarë.

Që viset bregdetare të Jonit banoheshin nga shqiptarë, na e thotë shkoqur Kritobuli dhe na la të nënkuptojmë Halko- kondili. Prania e shqiptarëve në krahinat lindore të Epirit të Vjetër provohet nga fakti se në vitin 1330 ata thyen një çetë të kompanisë së madhe katalane në Gardhiq të Janinës që kishte kaluar Pindin dhe po plaçkiste Epirin. Nga njofti- met që jep Kantakuzeni dhe nga ato që ndeshen në “Kronikën e Janinës”, mund të nxirret lehtë konkluzioni se banorët e Epirit në shumicën dërrmuese qenë shqiptarë, përderisa siç vinte re me të drejtë J. G. Hahni, fituan në luftë kundër grekëve dhe serbëve.

Ne do të shtojmë me këtë rast se for- macionet shtetërore shqiptare që u krijuan në territoret e Epirit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe në mënyrë të veçantë ekzistenca për një kohë të gjatë e despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës, i cili u përmbys vetëm nën goditjen e vërshimit osman, na japin në dorë dy elemente të rëndësishme në favor të problemit që kemi në diskutim. Nga njëra anë, provojnë se shqiptarët, të cilët u bënë bartësit etnikë të këtyre formacioneve shtetërore në luftë kundër pushtetit bizantin dhe serb, përbënin masën kryesore të popullsisë së Epirit. Nga ana tjetër, komuniteti politik-gjuhësor, që u formua nga këto formacione shtetërore shpjegon arsyen përse shqiptarët dalin në Epir me emrin e tyre etnik pikërisht në burimet historike të kësaj periudhe dhe jo më parë. Me këtë për- bërje etnike, emërtimi gjeografik Epir u vesh për shumicën e shkrimtarëve dhe kancelarëve të Mesjetës së mëvonshme, me një vështrim etnik shqiptar.

Për shqiptarët u sanksionuan kështu në shek. XIV–XV dy emërtime etnike: arbër dhe epirotë. Në këto dy emërtime nuk u përfshinë viset e banuara nga shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të emërtimeve Arbëri dhe Epir. Është fjala kryesisht për territoret e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe të Maqedonisë Perëndimore, vendbanimet e dikurshme të dardanëve, paionëve dhe lunkestëve ilirë.