Po, Ulqinin  atë ditë e buzëqeshi fati. Ai  kishte festë. Ishte më i bukur se kurrë. Dukej si nuse bukuroshe.Tundej e hidhej nga gëzimi.  Sepse  kudo në qytet valonin flamujt kuqezi.Ngjyra që flasin shumë. Sa bukur!  Sa mrrekulli” Sa krenari! Sa madhështi!

Flamuri kuq e ziGjekë Gjonaj, Ulqin

Ulqinakët guximtarë  që në zemër kishin dashurinë  ndaj simboleve  tona kombëtare   në vitin 1968 ngritën  maisivisht Flamurin tonë kombëtar.- Flamurin e Skënderbeut. Ideali  i lartë i  tyre për Flamurin kuq e zi, me shqiponjën dykrerëshe, simbolin më të shtrejtëruar të kombit shqiptar  ngadhënjeu mbi frikën  e deriatëhershme deri në palcën kurizore të çdo shqiptari në ish-Jugosllavi.  Ngritja e  flamurit  tonë kombëtar, sipas   pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë  dhe  dëshmitarëve okularë    në dyqanet dhe lokalet private  në Ulqin  ndodhi   në vigjilje të  1  majit të vitit 1968.

 Ngjarjet paraprake

 Dihet mirëfilli se Kosova ishte  frymëzuesja kryesore për  barazi  dhe të drejta  të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, nën ombrellën e kryetarit  të shtetit dhe  kryetarit të  Partisë Komuniste të Jugosllavisë  ( më pas Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë)  Josip Broz Tito ). Periudha më e errët  për shqiptarët ishin vitet 1948-1966 ( e njohur në popull  si periudha e Aleksandër Rankoviqit, sekretar i Komitetit Qendror të LKJ-së, ministër i Punëve të Brendshme dhe nënkryetar i Republikës Socialiste  Federative të Jugosllavisë). Gjatë këtyre viteteve  shqiptarët   në Kosovë përballeshin me një fushatë të egër shkombëtarizimi e shpërnguljeje masive nga trojet e tyre stërgjyshore. Ata kontrolloheshin plotësisht  nga UDB-a ( Drejtoria e sigurimit të shtetit)  dhe statusi i tyre ishte mjaft i palakmueshëm.

Me kushtetutën e  vitit 1963  Republika Federative Popullore e Jugosllavisë shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ndërkaq Kosova  shpallet Krahinë Autonome, kurse shqiptarët nga nocioni “pakicë kombëtare“  me këtë Kushtetutë u definuan si “ kombësi”. Kjo kushtetutë   edhe pse nuk kishte sjellur ndonjë ndryshim esencial sa i përket trajtimit dhe pozitës së shqiptarëve, ajo megjithatë  paralajmëroi ditë më të mira dhe ndryshime  në të ardhmen.  Në atë kohë  veç kishin filluar  edhe konfliktet e para në mes të forcave burokratike  decentralizuese në krye me Titon  dhe atyre unitariste  serbe, të drejtuara nga   Rankoviqi.

Në tetor të vitit 1966 Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në Plenumin e Brionit e përjashtoi Aleksandër Rankoviqin nga LKJ-ja.  Tito-ja   fitoren e tij  ndaj  krahut shovinist serb  të Rankoviqit   në diskutimet publike u përpoq ta arsyetojë  si fitore e të gjitha  kombësive, duke u munduar  që ta thejë kompleksin e inferioritetit që u ishte imponuar shqiptarëve.

 

Në këto rrethana edhe për shqiptarët në Malin e Zi  u krijua një klimë paksa më e relaksuar politike dhe duke e shfrytëzuar këtë krizë të krijuar dhe  një pjesë e intelegjencës shqiptare  filluan të flasin hapur për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë në arsim, kulturë dhe në fusha tjera të jetës politike e shoqërore.

Këto hapësira lirije  filluan të jetësohen  edhe në komunën e Ulqinit të nxitura   dhe të motivuara nga  disa tubime publike dhe ngjarje  të rëndësishme në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilat tek shqiptarët  në përgjithësi ringjallën dinjitetin dhe krenarinë  kombëtare:

1)   Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968).

2)    Simpoziumi shkencor i mbajtur  në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500 vjetorit  të vdekjes se kryetrimit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ku morën pjesë studjues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë, dhe

3)    Konsulta e njësimit të gjuhës shqipe e mbajtur më 22 – 23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri  gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”.

 Kushtrimi  për mbrojtjen e flamurit

 Ditët e fundit të prillit të vitit 1968  për Ulqinin mbeten të shënuara si ngjarje madhore të këtij qyteti. Pikërisht ato ditë u ngritë flamuri kuq e zi për të cilin ishin burgosur shumë  njerëz patriotë të kësaj   komunë dhe të gjitha trevave tjera shqiptare në  Malin e Zi.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare , patrioti,  ish i burgosuri politik, prof.doktor Bahri Brisku, i cili kaloi disa vite në burgjet famkeqe të sistemit barbar serbosllav,  në rrëfimin e tij sqaron    se çfarë ndodhi me këtë rast.

“ Natën e 30 prillit të vitit 1968  një grup qytetarësh patriotë organizuan në Ulqin një tubim   ( kushtrim) për mbrojtjen e flamujve shqiptarë, të cilët  i kishim vendosur  atë ditë, në  disa objekte e dyqane private në  qytet.   Të gjithë ishim të bindur se heqjen e flamujve e kishte organizuar policia e asaj kohë, e  bindur se ne nuk do t’i rivendosim.  Të pakënaqur me këtë veprim të policisë ne  vëndosëm që  flamujt kombëtarë t’i   ngrisim  përsëri   në të gjitha pjesët e qytetit. Flamurin në Kala ( Qytetin e  Vjetër)  e ngritën  pa rënë terri Jakup Nimanbegu dhe Zyhti Misheri,kurse në Kullën e sahatit e vëndosën Hasan Bojku dhe Qemal Dervishi. Duke qenë të bindur se  pushtetarët e asaj kohë do të bëjnë   gjithçka të munden  që flamujt t’i hjekin përësri   ne vëndosëm që t’i ruajmë flamujt çdo natë.Për këtë qëllim u ftuan persona të zgjedhur nga rrethi i Ulqinit,  të gjithë të armatosur”,thotë Brisku.

Taktika e policisë

Policia, siç rrëfen Brisku,   për t’ia  arritur qëllimit  të  vet – heqjen e flamujve shqiptarë nga   objektet  ku ishin vendosur, përdori një  taktikë të re, të papritshme  dhe befasuese.  “ Ajo  msheftazi kishte ftuar Komandën e ushtrisë së Tivarit, që të  marrë masa ndaj popullatës shqiptare  të Ulqinit e cila “ po  kryente  disa veprime kundër pushtetit”. Rreth orës dy pasmesnate erdhi  në Ulqin një major ( për të cilin vonë mësova nga një tivaras se  quhej Beqir Husenbegoviq,i kombësisë boshnjake)  me dy ushtarë.  Unë  bashkë me  anëtarët e grupit mbikqyrës  të këtij tubimi protestues Elez Nikeziqi, Hasan Bojku, Esat Shkodra dhe  Selatin Bajraktari ishim vendosur në katin e dytë të një dyqani te  Rrethi i sotshëm.

 Biseda me majorin e Ushtrisë Jugosllave

Pas një bisede të shkurtër majori më drejtohet me këto fjalë:

–        Të lutem më tregoni shkakun e kësaj  proteste popullore   në Ulqin ?

–       Qytetarët e Ulqinit  janë të shqetësuar  shumë për  arsye se policia në mënyrë të padrejtë,  kishte  hequr dhe vjedhur flamujt tonë kombëtarë –  u përgjigja.

Dhe, për të argumentuar fjalën time nxora nga  xhepi   gazetën e përditshme “ Politika” të Beogradit, ku thuhej qartë se përdorimi i flamurit të pakicave ishte i lirë në krejt Jugosllavi.  Protestuesit e tjerë shqiptarë   pranuan para majorit se   atë natë janë grumbulluar një numër i madh qytetarësh  të armatosur nga Ulqini me rrethinë   në mbrojte të flamujve shqiptarë . Ata u betuan para majorit se  për së gjalli nuk do të lejojnë  heqjen e flamujve shqiptarë nga vendet ku i kishin ngritur.

–        Majori me zë të zbutur  më tha:

–       A ekziston mundësia reale që flamujt t’i kenë hequr dikush tjetër, e jo policia ?

–       Është e mundur edhe kjo, që thoni. Por opinioni publik  i këtushëm është i bindur se këtë veprim makabër , e ka bërë dikush  i lidhur ngushtë me policinë – u përgjigja.

Pas  pak majori  kërkoi nga unë që  të shkoj me të.  Megjithëqë e dija se nuk duhet besuar personit në uniformë ,   pranova.

–       Po vijë me ju,por  me vete po i marrë edhe dy shokë!- i thashë

–       Mirë, mirë.Ti merr me vete  cilindo që dëshiron – mu përgjigj majori.

Me vete mora Elez Nikeziqin dhe Selatin Bajraktarin. Majori hypi në xhipin e ushtrisë, ndërsa unë dhe shokët e mi vazhduam pas tyre me autoveturën time.   Kur mbërritëm në një rerafshinë aty  gjetëm të parkuar dy kamionë plot me ushtarë.    Natyrsiht se u shqetësuam. Selatini fshehu  revolen dhe një  bombë dore  në autoveturën time. Dolëm jashtë.

Pafajësia

 –       O, burra!  Na falni shumë që ju kemi shqetësuar sonte. Mirëpo ne kishim informacion nga eprorët e policisë  se  situata poltike  në Ulqin është shumë e rëndë. Ne, tani u bindëm se nuk është ashtu. Ju nuk jeni fajtor. Fajtor është dikush tjetër.  Ju  vazhdoni të ruani qetësinë në qytet. Mos bini fli e provokimeve të mundshme. Ruani gjakftohtësinë! Sa për flamujt që i keni ngritur, ata janë të lirë, por mos i keqpërdorni. Vazhdoni të luftoni për të drejtat  e juaja  – na tha me dashamirësi   majori, duke na lutur  që mos të tregojmë se çfarë folëm.

 Ngazëllimi

“ Të befasuar këndshëm nga kjo sjellje  njerëzore, korrekte dhe dashamirëse e   majorit të ushtrisë jugosllave e siguruam  atë  me bindje të plotë se po qe se është nevoja do t’i mbrojmë të gjithë ushtarët  e tij nga çdo e keqe e mundshme që munnd të ndodhte atë natë  në Ulqin.   Ushtarët dhe majori  na falënderuan për dashamirësinë që treguam ndaj tyre. Diku pak para  se të zbardhë dita  u ndamë. Ata shkuan për Tivar, ndërsa ne u kthyem në qytet. Aty gjetëm protestuesit, respektivisht  rojtarët e flamujve, të cilët u kënaqën kur ne kaluam pa pasoja.  Të nesërmen  flamujt  shqiptarë valviteshin lirshëm nëpër qytet. Madje shumë fëmijë  ulqinakë   vraponin të gëzuar me flamuj të vegjël në duar.Ishte ky një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët  e kësaj komunë”, pohon Brisku.

Po, Ulqinin  atë ditë e buzëqeshi fati. Ai  kishte festë. Ishte më i bukur se kurrë. Dukej si nuse bukuroshe.Tundej e hidhej nga gëzimi.  Sepse  kudo në qytet valonin flamujt kuqezi.Ngjyra që flasin shumë. Sa bukur!  Sa mrrekulli” Sa krenari! Sa madhështi!

 

 “ Napredaku “ i Gjakovës, shitorja e vetme  ku shitej flamuri shqiptar

Objekti i vetëm ku  shqiptarët mund të blenin  simbolet  tona kombëtare në qytetin e Ulqinit asokohe ishte dyqani me mbishkrimin sllav“ Napredak” nga Gjakova,  në rrugën që të çon për  në Plazhin e Vogël, ku sot ndodhet  butiku “ Boos”.   Edhe pse flamuri shqiptar  asohere konsiderohej nga pushteti si    mall “ i rrezikshëm”  këtu shitej  haptazi. Shitësi i kësaj shitore, Hysein  Ceno  Kapllanbegu , tani burrë tetëdhjetë vjeç  në bisedën  që zhvilluam  para pak muajsh në një restorant në Pristan apo  Ranë, siç e quajnë vendasit, në shoqërimin e  Hajro  Nimanbegut,    evokoi  kohën kur në dyqanin  “ Napredak” ndër  mallrat e tjerë shitej edhe flamuri shqiptar.

“ Ishin  ato kohë të vështira. Popullata jonë kishte njëlloj frike nga pushteti. Kjo  ndikoi tek ata  që të mos shprehnin interesimin e vet publik  për blerjen e simbolit   tonë kombëtar, edhe pse shumica e tyre i kishin  në zemër. Në rrethanat e atëhershme shumë pak qytetarë të Ulqinit me rrethinë blenin flamuj shqiptarë. Por kishte edhe të atillë që i blenin haptazi, ndonëse numri i tyre ishte simbolik”, thotë Kapllanbegu. I pyetur se  a ka patur   presion nga policia apo pushteti vendor  i kohës  që t’i shesë flamujt shqiptarë ai  përgjigjet  prerë, jo. Kapllanbegu  pohon se kurrë nuk i ka mshehur  në dyqan flamujt shqiptarë nga askush. Sipas tij ata kanë qëndruar të ekspozuar  në vend të dukshëm, si të gjitha mallrat tjera të tekstilit.

  Flaka e ndjenjës atdhetare

Me këtë akt patriotët  shqiptarë të komunës së Ulqinit  dëshmuan se në zemrat e tyre edhe në sistemin komunist  ka qenë e ndezur ndjenja atdhetare. Ata i treguan  pushtetit  dhe të gjithë të tjerëve se e duan simbolin e tyre kombëtar – Flamurin kuq e zi , duke respektuar të drejtën e të gjithë popujve të tjerë t’i duan e të nderojnë simbolet e veta kombëtare.  Ngritja  e Flamurit tonë kombëtar në   Ulqin ishte një  mesazh i qartë se ky qytet  ishte dhe do të mbetet  qytet shqiptar. E si mund të jetë ndryshe, kur në këtë  Flamur janë  përmbledhur  për mrrekulli mbi të gjitha burrëria dhe sakrifica  jonë shekullore për liri e pavarësi.