Çdo grua që kupton problemet e familjes do të jetë shumë më afër për të kuptuar dhe problemet që ka vendi.” Margaret Thatcher.

Nga Keze Kozeta Zylo

Shoqata shqiptare amerikane “Ana e Malit” në Staten Island, New York mbajti kuvendin e saj dhe bëri zgjedhjet për kryetar të ri dhe kryesinë me mandat për vitin 2016-2019.

Në mjediset e këndshme të lokalit “Brook Catering Hall” me pronar z.Shaban Seferi Anamalasit u mblodhën së bashku për të marrë pjesë në kuvendin e tyre të radhës.
Kuvendi këtë radhë nuk ishte vetëm një mbledhje pune, por ishte tejet i rëndësishëm, sepse do të bëheshin zgjedhjet për drejtuesit e ardhshëm të shoqatës me mandat tre vjeçar. Ajo që binte në sy në këtë Kuvend ishte se mjaft gra zonja të shoqatës kishin shprehur vullnetin për t’iu bashkuar punëve të shoqates dhe kryesisë. Në këtë shoqatë janë gra dhe vajza të reja që kanë marrë edukimin e duhur dhe janë integruar plot kulturë në botën amerikane, kështuqë pjesëmarrja e tyre ishte krejtësisht një domosdoshmëri do të shprehej ish kryetari i shoqatës “Ana e Malit” z.Ismet Kurti si dhe gjithë Anamalasit që morën pjesë në këtë ditë të shënuar të tyre.

Kuvendin e ka hapur z.Zija Kraja një aktivist i dalluar i cili iu ka shprehur të gjithëve mirëseardhjen dhe iu ka uruar bashkëkombasve punë të mbarë në Kuvend.
Kuvendi drejtohej nga presidiumi i përbërë nga këta anëtarë: Ismet Kurti, Xheladin Zeneli, Nail Llolla dhe Bilal Demiri.

Z.Zija Kraja ka ftuar në podium z.Xheladin Zeneli ish deputet në Kuvendin e Malit të Zi dhe njëherazi n/kryetar i shoqatës.

Z.Zeneli ka sjellë para gjithë pjesëmarrësve aktivitetet e shumta të shoqatës dhe punën e palodhur që ka kryer kryesia e shoqatës. Ai ndërmjet të tjerash tha:
Shoqata mban takimin e radhës me komunitetin e vet, më 8 Shkurt 2015 në
lokalin ” Brook Catering Hall” në Staten Island.
Shoqata merr pjesë në Mbrëmjen Festive të organizuar nga Anëtari i
Asamblesë së NY, z. Mark Gjonaj me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë së
Kosovës, më 21 Shkurt 2015 në Maestro’ Catering, në Bronx;
Pjesëmarrje me rastin e përkujtimit të rënies së Vëllezërve Bytyçi me 7 Mars
në Yonkers. Organizimi i 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars në restorantin Vanderbilt, në Staten Island. Pjesëmarrje përkrahjeje në mbrëmjen fondmbledhëse të Shkollës Shqipe në Maestro’s, në Bronx (NY), më 21 Mars 2015.

annual_2016Mbledhja e Kryesisë së Shoqatës (12 Prill 2015), Staten Island. Pjesëmarrja në Mbrëmbjen Fondmbledhëse për Ansamblin ” Bashkimi Kombëtar” para paraqitjes së tyre në Festivalin Mbarëkombëtar në Gjirokastër. (Giovanni’s, restaurant, 2 Maj, 2015).

Pjesëmarrja në ceremoninë përkujtimore kushtuar 70 Vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Ditës së Fitores në Europë. Me ftesë të Ansambleistit të shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj dhe senatorit Jeff Klein muarën pjesë disa përfaqësues të organizatave të komunitetit shqiptar. Në këtë solemnitet të organizuar në Albany (NY), mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani i cili njëherazi ishte edhe folësi kryesor duke përkujtuar kështu kontributin që shqiptarët dhanë gjate Luftës së Dytë Botërore. (5 Maj, 2015). Pjesëmarrja e Shoqatës në festën e përfundimit të vitit shkollor (Graduation Party) të nxënësve të shkollave shqipe “Alba Life”, më 27 Qershor në
“Sirico’s” catering, në Brooklyn e shumë shumë aktivitete të tjera u përmendën në fjalën e z.Zeneli.

Z.Zeneli ka ftuar kryetarin e shoqatës z.Ismet Kurti i cili u mirëprit me duartrokitje nga pjesëmarrësit çka tregoi për respektin dhe punën e palodhur të kryetarit të tyre.