Ana e Malit,ashtu si edhe shumë vendbanime të tjera shqiptare,me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) si dhe asaj të Parisit (1919) u ndanë padrejtësisht nga trungu i shtetit të tyre amë-Shqipërisë dhe iu bashkangjiten Malit të Zi.
Si pasojë e kësaj sot kemi krahinën e Anës së Malit të ndarë në dy pjesë: një Anë të Malit brenda kufijëve të republikës së Shqipërisë dhe një Anë të Malit  brenda kufirit administrativ të republikës së Malit të Zi,ndërsa para aneksimit nga Malit i Zi,treva e Anës së Malit ishte një trevë kompakte  dhe territor i pandarë shqiptar.
Që nga viti 1880 kur ky vendbanim iu bashkangjit Malit të Zi kundër vullnetit dhe dëshirës së popullit të tij,janë bërë përpjekje të shumta si për ndalimin e aneksimit nga ana e Malit të Zi me ndihmën e Fuqive të Mëdha dhe perandorisë osmane.Kurse më vonë ,gjatë luftës së dytë Botërore,janë bërë përpjekje që treva e Anës së Malit ti bashkangjitet shtetit amë,Shqipërisë.
Moment vendimtar dhe i rëndësishëm  historik që pat pēr qēllim mbrotjen nga coptimi tē trojeve shqiptare nga ana e shteteve fqinje,padyshim që ishte themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , me 10  Qershor 1878. Lidhja e Prizrenit ,përmes degëve dhe komiteteve tē veta ishte shtrirë në shumë qendra shqiptare tē kohës.Lidhja.gjithashtu në përbërjen e vet kishte edhe forcat e armatosura të përbërë nga luftëtarë vullnetarë shqiptar nga të gjitha trevat etnike të cilët ishin të gatshëm që të mbrojnë edhe me gjak vendin e të parëve të tyre,pra tokën shqiptare.
Një ndër kēto komitete ishte edhe Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i cili muar përsipër mbrojtjen e Ulqinit me rrethe. Pas vendimeve të Fuqive tē Mëdha të kohës, për dorëzimin e Ulqinit
Malit të Zi,një ndër betejat e përgjakshme për mbrojtjen e Ulqinit u zhvillua te Kodra e Kuqe (pranë fshatit Kllezën) në Anë të Malit, me 22 Nëntor 1880 e cila ndryshe njihet edhe si Beteja e Shkallmushkës, në mes të forcave shqiptare dhe atyre turke.Në  fillim vullnetarët shqiptarë arritën të përballojnë ushtrinë turke dhe turqit patën shumë të vrarë, por më vonë pasi arritën përforcime të mëdha të ushtrisë turke të pajisura  me artileri moderne, forcat vullnetare shqiptare e patën të vështirë të përballonin epërsinë e armikut, kështu që si rezulltat edhe u thyen .Në këtë betejë  komandanti i forcave vullnetare shqiptare, Isuf Sokoli,u plagos  rëndë dhe  vdiq më vonë  nga plagët e marra.
Kjo betejë,megjithëse zgjati për një kohë të shkurtë, ka hyrë në histori si një ndër betejat e para të shqiptarëve të kytyre anëve që  rezistuan në mënyrë të armatusur kundër dorëzimit të Ulqinit, Malit të Zi.
Historia e Anës së Malit e lidhur ngusht me historinë  e Shkodrës

Një ndër qëlllimet kryesore të politikës ekspanizoniste të Malit të Zi, veçanërisht gjatë periudhës së mbretit Nikollë,ka qenë pushtimi dhe përfshirja e qytetit të Shkodrës nën territorin e shtetit malazez i cili synonte të zgjerohej në dëm të territorit shqiptar. Janë të njohur katër tentime të Malit të Zi për të pushtuar Shkodrën. E para, gjatë viteve 1875-1878, e dyta gjatë Luftës së Parë Ballkanike ( 1912-1913), e treta gjatë Luftës së Parë Botërore ( 1914-1918) dhe e katërta gjatë viteve 1919, 1920, 1921.Dhe sa herë që Mali i Zi dhe Serbia, me forcat e veta ushtarake,janë vërsulur për të okupuar qytetin e Shkodrës, kanë hasur në rezistencë në krahinat përreth Shkodrës dhe një ndër këto krahina ishte edhe krahina e Anës së Malit, në dy anët e kufirit të sotëm shqiptaro-shqiptar.
Historianët flasim për një betejë të zhvilluar në Anë të Malit me 19 Nëntor 1877 ku forcat malazeze ( me 6 batalione) kishin tentuar të marrin Urën e lumit Buna dhe pastaj të vazhdonin rrugën për në Shkodër.Luftëtarët nga Ana e Malit e Lezha të komanduar nga Mehmet Mlika e thyen ushtrinë malazeze në vendin e quajtur Rrezigaqe. Edhe pse me numër më të madh dhe me epërsi ushtarake, megjithate malazezët humbën betejën dhe u detyruan të kthehen mrapa dhe u vendosën në fshatin Dobrovodë ( Ujëmirë), afër Tivarit.
35 vite më vonë, respektivisht me 11 tetor 1912 zhvillohet një ndër betejat më të përgjakshme për marrjen e Shkodrës nga ana e Malit të Zi.Bëhët fjalë, pra për Luftën e Taraboshit . Për pushtimin e Shkodrës, përmes majës së Taraboshit, Mali i Zi angazhoi 8 brigada me 36 batalione dhe 74 topa. Para se të arrinin në Tarabosh ,për dy ditë me radhë u zhvilluan  luftime paraprake në fshatrat për rreth  lumit Buna në mes forcave malazeze dhe banorëve shqiptar vendas të cilët kishin për qëlllim të ngadalsonin apo pengonin marshimin e malazezëve drejt Shkodrës. Mirpo,forcat malazeze filluan të djegin fshatra të tërë dhe shkatrronin çdo gjë që iu dilte përpara . Sjelljet e tyre barbare ndikuan që përqindja më e madhe e popullsisë së vendbanimeve afër Shkodrës, duke përfshirë edhe Anën e Malit, të ikin nga tmerret e luftës dhe të strehohen në Shkodër. Malazezët kishin përshtypjen se do t’a marrin Shkodrën brenda ditës. Por në malin e Taraboshit iu hasi ” sharra në gozhdë” me ç’rast ata pësuan humbje të mëdha në njerëz. Vendi i kësaj beteje të përgjakshme ( pra,  mali i Taraboshit ) ,shpeshëherë quhet edhe ” mali i përgjakur”. Sakrificat dhe flijimin e shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës si dhe humbjet e armiqëve, populli i ka përshkruar me këto vargje:

Nëpër mal, nëpër Rumi,
Shkon asqeri talimxhi,
Në Shkodër po don me hi,
Në Shkodër, e kah Shteg-Vasha,
Kah Shteg-Vasha, nën fajletë,
Shum asqeri pos ka metë,
Katërqin e tetdhet vetë,
Bajnë me mushka ka tre vetë,
Ka tre vetë i kanë ngarkue,
N’Arbanesh po dojnë me i çue;
Arbaneshi gropa-gropa,
Plot me vorre u mush toka.
Rreth e rreth po rri Evropa,
Rreth e rreth Evropa marë,
Po luftojnë sërb e shqiptar-ë….

Siç dihet, lufta për Shkodrën vazhdoi edhe për gjashtë muaj të tjerë ( deri në Prill të vitit 1913) dhe sikurse mos të ishte tradhëtia e Esat Pashës, malazezët asnjëherë nuk do të kishin mundur të pushtojnë Shkodrën, qoftë ajo edhe përkohësisht.

Kongresi i Katërkollës për mbrojtjen e tokave shqiptare

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me aneksimin e Shqipërisë nga ana e Italisë dhe viseve shqiptare që administroheshin nga Mali i Zi ndërroi dukshëm situata politike në rajon. Dual në sipërfaqe rishqyrtimi i kufijëve administartiv dhe shqiptarët që jetonin nën pushtetin malazez, përmes delegacioneve  pranë qeverisë së atëhershme të Tiranës, memorandumeve të ndryshme,por edhe me rezistencë të armatosur kërkonin njëzëri bashkimin me Shqipërinë.Me përkrahjen e Italisë, në vitin 1940 u muar vendimi që Ulqini të vetëqeveriset nga Shqipëria dhe të jenë nën prefekturën e Shkodrës.Me këtë rast filloi administrimi i ri në Ulqin ku kryetar i bashkisë u zgjodh, personalitetit i njohur i asaj kohe, Cafo Beg Ulqini i cili shërbeu në këtë detyrë deri në vitin 1942, kur u zgjodh deputet i Parlamentit të Shqipërisë.
Gjatë kësaj periudhe vlen të përmendet një ngjarje e rëndësishme kombëtare ,pra bëhet fjalë për ngritjen e flamurit shqiptar me 14 Qershor 1941 në Kishën e Shën Zefit në Ulqin,ku ishin prezent me mijëra shqiptar nga Ulqini, Ana e Malit, Shtoji,Zogaj etj. të të gjitha konfesisoneve fetare. Vetë fakti që një  manifestim i tillë kombëtar u mbajt në një objekt të konfesionit katolik, por që pjesëmarrësit ishin nga të gjitha konfesisonet e tjera,dëshmon për ndjenjën dhe vetëdijën e lartë kombëtarë të banorëve të atëherëshëm shqiptar të kësaj treve.
Pasi që komunistët sllav(serbo-malazez) synonin që përmes luftës së ashtuquajtur nacional-çlirimtare,të ripushtojnë  trevat shqiptare dhe t’ja bashkangjesin shtetit të atërhershëm të Jugosllavisë, tre vite më vonë,afër përvjetorit të tretë të ngritjes së flamurit shqiptar në Ulqin, me 11 Qershor 1944,në Katërkollë të Anës së Malit, mbahet Kongresi për Mbrojtjen e Kufijve të tokave shqiptare.Në librin “Cafo Beg Ulqini” të autorit Fahri Buçinca ( 2009) kështu përshkruhet ky tubim historik:” Në këtë Kongres të përgjithshëm kishin ardhur përfaqësuesit e autoriteteve civile të Ulqinit. Mirëpo shiheshin edhe disa personalitete nga Tivari dhe Shkodra.Kishin ardhur përfaqësuesit nga të gjitha trevat e rretheve të nënprefekturës së Ulqinit. Në Kongres nuk munguan as përfaqësuesit ushtarak të Ulqinit”.Në këtë Kongres u zgjodh Komiteti për Mbrojtjen e tokave shqiptare me në krye Cafo Beg Ulqinin. Jo rastsisht Kongresi u mbajt në Anë të Malit duke pasur parasysh një ambient me ndjenja të fuqishme kundër sllavo-komunistëve të kohës.Gjithashtu,kjo ishte koha kur në këtë trevë vepronte çeta e Hasan Isufit( personalitet i dalluar për trimëri) e cila rezistonte me luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare ndaj serbo-malazezëve dhe kishte përkrahje të madhe nga banorët e kësai treve të cilët iu bashkangjiten atij me një numër të madh.
Karakterin atdhetar  të anamalësve të asaj kohe, më së miri e përshkruan vetë Cafo Beg Ulqini në shënimet e tia përmes një vargu
(  F.Buçinca , faqe 161, ” Cafo Beg Ulqini”) ku thuhet:
“Sillu Zanë,shko në Anë të Malit,
Aty ka le pika e djalit.
Disa herë k’ta janë diftue,
Gjithmon’ gati me luftue
Pa pritesë jetën me dhanë,
Për atdhe e për vatan.
Prej robnie m’u lirue,
Me atdhen’ me u bashkue.
Sikur pleqt dhe masa e re,
E bajn’ deken si me le…”.

Ana e Malit sot, trevë e anashkaluar në mënyrë të dyfishtë

Treva e Anës së Malit,si trevë autoktone ,gjithmonë ka qenë në shenjestër të qarqeve shoveniste serbo-malazeze. Gjatë monizmit pushteti i atëhershëm malazez e konsideronte kete trevë si bazë e “nacionalizmit” dhe “irredentenzmit” shqiptar.Mjafton të përmendët vetëm fillimi i viteve ’80-ta të shekullit të kaluar( periudha e pas demonstratave në Kosovë të vitit 1981) , ku u përndjekën politikisht apo u burgosën  një numër i konsiderueshëm i intelektualve dhe i veprimtarëve atdhetarë  në Anë të Malit. Kurse me vendosjen e pluralizmit politik dhe me themelimin e partisë së parë shqiptare në Mal të Zi në vitin 1990 ( pra Lidhjes Demokratike në Mal të Zi), treva e Anës së Malit shërbeu si bastion i veprimtarisë së këtij subjekti politik i cili në atë kohë konsiderohej , jo thjeshtë si  parti politike ,por si lëvizje gjithë popullore për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.
Ana e Malit,ashtu si është anashkaluar gjatë kohës së monizmit,gjithnjë po vazhdon të anashkalohet edhe gjatë pluralizmit si nga pushteti qendror në Podgoricë poashtu edhe nga pushteti lokal i Komunës së Ulqinit,pjesë asministrative e së cilës është. Edhe përkundër resurseve të pasura natyrore që posedon kjo trevë, nuk ka pasur investime të tilla që do të punësonin banorët e kësaj treve dhe që  do të ndikonte në zbutjen e  papunësinë.
Është tepër dëshprues fakti se e gjithë kjo histori e lartëpërmendur  kombëtare e Anës së Malit nuk iu mësohet nxënësve shqiptar në shkolla.Sot,në shkollat fillore në Anë të Malit si dhe në ate të mesmen në Ulqin,nxënësve shqiptar  iu mësohet historia e shumë popujve të botës,por jo edhe historia e vendit,e baballarëve dhe e të stërgjyshërve të tyre. Mënyra më e mirë e asimilimit të një populli është që duke ia mohuar të kaluarën i mohon identitetin dhe krenarinë e tij kombëtare.Këtë po bën edhe pushteti i tanishëm i Malit të Zi i cili përmes programeve dhe teksteve shkollore ,respektivisht teksteve të lëndës së historisë ku mësohet shumë pak histori kombëtare shqiptare, filllon asimilimin e popullsisë  që në bankat shkollore.

Në vend të përfundimit

Gjatë tërë historisë së vet treva e Anës së Malit ,edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të regjimeve të ndryshme malazeze ( apo jugosllave) për t’a ç’kombëtarizuar apo asimiluar këtë trevë,megjithate anamalasit kanë arritur që të ruajnë identitetin dhe homogjenitetin e vet kombëtar. Sot është e vetmja trevë shqiptare në Mal të Zi me përbërjen kombëtare 100% shqiptare,megjithëse shpërngulja e popullsisë ka ndikuar deri diku në zvogëlimin e numrit të popullsisë së përgjithëshme të kësaj treve por gjithënjë,jo edhe në atë masë sa ka ndikuar në trevat tjera shqiptare në Mal të Zi.
Jam i bindur se kjo trevë me kaq traditë, trashigimi të pasur kulturore si dhe me një të kaluar kaq të lavdishme do të jetë në gjendje që të përballojë edhe sfidat e tjera që do t’i sjellë e ardhmja.


Shkruar nga Xheladin Zeneli
Janar 2014

Literatura e shfrytëzuar:

1) ” Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881″ –
Mr. Riza  Rexha
2)  ” Cafo Beg Ulqini” – Fahri Buçinca
3) http://www.albaniapress.com/lajme/10314/Lufta-e-Lidhjes-   Shqiptare-te-Prizrenit-per-mbrojtjen-e-teresise-territoriale-te-Shqiperise.html